E Martë, 3 Nëntor 2026

Gjyqi penal kundër Trumpit, të martën paraqiten argumentet përfundimtare nga prokuroria dhe avokatët

Në Nju Jork të martën rifillon gjyqi  ndaj ish-presidentit amerikan Donald Trump. Prokuroria dhe avokatët mbrojtës do të paraqesin argumentet përmbyllëse. Këta të fundit do të kenë mundësinë e tyre të fundit për t’iu drejtuar jurisë në fjalimet e përfundimtare lidhur me çështjen ku Trump akuzohet se ka fshehur një pagesë prej 130 mijë dollarësh për ish-aktoren e filmave për të rritur Stormi Daniels, që ajo të heshtëte  rreth një marrëdhënieje intime me Trumpin përpara se ai të fitonte zgjedhjet presidenciale në vitin 2016. 

Qëllimi i argumenteve përmbyllëse është që prokurorët dhe avokatët t’u rikujtojnë anëtarëve të jurisë ato që i vlerësojnë si pika kyçe të procesit. Më pas anëtarët e saj do të tërhiqen për të marrë një vendim mbi çështjen. 

Prokurorët mes dëshmitarëve kyç kishin ish-aktoren Stormi Daniels, por edhe ish-avokatin personal të Trump, Majkëll Kohen. Ky i fundit tha se ish-presidenti ishte i përfshirë drejtpërdrejt në dhënien e parave për të blerë heshtjen e Daniels duke miratuar pagesat. 

Ndërsa mbrojtja, e cila thirri vetëm dy dëshmitarë, por jo ish Presidentin, do të përpiqet të vërë në dyshim vërtetësinë e argumenteve të prokurorëve. 

Për të marrë një vendim dhe që gjykatësi ta pranojë, duhet që të 12 anëtarët e jurisë të kenë qëndrim të unifikuar për akuzat ndaj Trump, por ende nuk dihet se sa kohë do të duhet për publikimin e vendimit. 

Gazetare Vjollca Zharri

/ rtsh.al /

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›