Gjyqtarët dhe prokurorët kërkojnë zbatimin pa vonesë të rekomandimeve të Raportit 2026 të KE-së - ATSH -
TIRANË, 6 nëntor /ATSH/ Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë dhe Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë kanë kërkuar zbatimin pa vonesë të rekomandimeve të Raportit 2026 të Komisionit Europian për Shqipërinë, duke theksuar nevojën për garantimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe mbrojtjen e magjistratëve nga presionet.
Në një deklaratë të përbashkët, të tre organizatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve vlerësojnë progresin e evidentuar nga Komisioni Europian në funksionimin e gjyqësorit dhe përfundimin e procesit të vetingut, që sipas raportit ka forcuar më tej pavarësinë, llogaridhënien dhe integritetin e sistemit të drejtësisë.
Megjithatë, ato nënvizojnë se raporti evidenton problematika që vijojnë të mbeten të pazgjidhura, mes të cilave ndërhyrjet e papërshtatshme të zyrtarëve publikë dhe politikanëve në institucionet e drejtësisë, sulmet personale ndaj magjistratëve dhe mungesa e garancive të mjaftueshme për sigurinë e tyre.
Një tjetër çështje e ngritur në deklaratë lidhet me konfliktin për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pagat, i cili, sipas raportit të Komisionit Europian, solli bllokimin e buxheteve të gjyqësorit dhe mospagimin e pagave të gjyqtarëve. Tre organizatat theksojnë se reforma e pagave duhet të respektojë standardet e CEPEJ-it, parimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të zhvillohet përmes konsultimeve kuptimplota me gjyqësorin.
Në deklaratë nënvizohet gjithashtu mungesa e progresit në garantimin e sigurisë për gjyqtarët dhe prokurorët. Sipas raportit, tetë magjistratë janë aktualisht në mbrojtje, gjashtë prokurorë dhe dy gjyqtarë. Organizatat sjellin në vëmendje edhe vrasjen e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë, Astrit Kalaja, në tetor 2025, duke iu referuar konstatimit të raportit se ngjarja nuk u pasua nga një reagim i mjaftueshëm institucional për garantimin e sigurisë së gjyqësorit në të gjitha nivelet.
Sa i përket funksionimit të gjykatave dhe prokurorive në nivel rrethi, organizatat evidentojnë, bazuar në raport, ngarkesën e lartë të punës, mungesën e personelit dhe kapacitetet e pamjaftueshme për hetimet financiare dhe çështjet komplekse. Po ashtu, vonesat në sistemin elektronik të menaxhimit të çështjeve vijojnë të ndikojnë në cilësinë dhe eficiencën e drejtësisë.
Në këtë kontekst, Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve i kërkojnë institucioneve përgjegjëse të ndalin ndërhyrjet dhe sulmet ndaj magjistratëve, të marrin masa konkrete për sigurinë e gjykatave dhe prokurorive, të garantojnë një reformë të pagave në konsultim me gjyqësorin, si dhe të sigurojnë burimet njerëzore dhe teknike të nevojshme për funksionimin e sistemit.
“Një drejtësi e pavarur kërkon magjistratë të sigurt, të respektuar dhe të lirë nga presionet. Kjo është përgjegjësi e të gjitha institucioneve”, thuhet në përfundim të deklaratës së përbashkët.

/a.f/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
