Goditet grupi kriminal i shitjeve të armëve në Tiranë, sekuestrohen 6 pistoleta

TIRANË, 10 mars /ATSH/ Policia e Tiranës, goditi një grup kriminal të trafikimit dhe shitjeve të armëve të zjarrit.
Pas një hetimi dy mujor, në kuadër të operacionit të koduar “Rotondo”, u vunë në pranga shtetasit D. J., 31 vjeç, banues në Shkodër dhe F. Gj., 22 vjeç, banues në fshatin Domje.
Sipas policisë “automjeti që drejtonte 22-vjeçari dhe ku ishte pasagjer shtetasi D. J., u ndalua për kontrolle, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, në vendin e quajtur “Rrethi i Freskut”.
“Nga kontrollet në automjet, u gjetën 6 armë zjarri (pistoleta SigSauer) të dyshuara të trafikuara nga Mali i Zi, me qëllim shitjen në këtë zone”, njoftoi policia.
Policia bëri të ditur se armët e zjarrit u sekuestruan bashkë me automjetin tip “Volkswagen” që drejtonte shtetasi F. Gj., si dhe me 4 celularë.
Në vijim të hetimeve, sipas policisë, u identifikua dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i dyshuar i të arrestuarve, shtetasi E. S.
Policia njoftoi më tej se vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetime për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
/m.q/a.f/