Goditet grupi kriminal në Fier, katër të arrestuar. Kapen armë, municion dhe drogë

Një grup kriminal që merrej me trafik armësh dhe kultivim e shitje të lëndëve narkotike është goditur nga policia e Fierit pas 6 muajsh hetime intensive.
Në kuadër të këtij operacioni, kanë rënë në pranga katër persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
“Nga hetimet rezultoi se disa shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin veprimtari kriminale në fushën e trafikimit të armëve dhe municioneve të kalibrave të ndryshëm, si dhe mbanin armë zjarri, për qëllime kriminale. Ky aktivitet kryhej në disa qytete të vendit, si Fier, Lushnjë, Durrës, Shkodër dhe Kukës, ndërsa në disa raste armët siguroheshin nga Kosova dhe futeshin ilegalisht përmes kufirit të gjelbër në PKK Morinë”, bëri me dije drejtori i policisë Fier, Skënder Hita.
Gjatë operacionit u ushtruan 8 kontrolle banesash, 2 kontrolle në ambiente të dyshuara për magazinim të armëve dhe të municionit luftarak, si dhe 3 kontrolle automjetesh ku sekuestruan:
“4000 fidanë kanabisi (2000 të mbjellë në tokën në pronësi të shtetasit B. B. dhe 2000 të kultivuar në kubikë); 3 armë zjarri automatike, 2 armë gjahu dhe 636 fishekë të kalibrave të ndryshëm; 5000 fara kanabisi; 2 radio si të Policisë, 2 uniforma policie, 1 maskë plastike me paruke; 3 automjete dhe 10 celularë”, bëri me dije Hita.
Nga hetimet rezulton se ky grup vepronte i organizuar, me qëllim trafikimin e armëve nga Kosova në Shqipëri, për t’i shitur më pas tek individë të përfshirë në veprimtari kriminale. Boran Buzi dhe Qamil Shurdhi ishin organizatorët e rrjetit, ndërsa anëtarët e tjerë kishin rol në sigurimin e armëve dhe në gjetjen e klientëve.
Njëkohësisht, kryetari i grupit, Boran Buzi organizonte kultivimin dhe më pas shitjen e kanabisit./vizionplus.tv