E Diel, 1 Nëntor 2026

Goditet grupi me 26 anëtarë në Qarkun e Elbasanit, 5 në kërkim! 10 persona janë arrestuar

Një operacion i gjerë antidrogë është zhvilluar në orët e para të mëngjesit në qarkun e Elbasanit, me fokus goditjen e grupeve kriminale të përfshira në trafikun e lëndëve narkotike.

Sipas informacioneve paraprake, aksioni ka çuar në lëshimin e 26 masave të sigurisë nga organet kompetente.

Deri më tani raportohen 10 persona të arrestuar, ndërsa 5 të tjerë janë shpallur në kërkim. Po ashtu, më herët janë arrestuar edhe 8 persona të tjerë, të lidhur me të njëjtin hetim.

Në kuadër të operacionit janë ekzekutuar edhe 20 urdhërkontrolle banesash, ku policia ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme kokaine, si dhe telefonë celularë që dyshohet se përdoreshin për aktivitetin kriminal.

Kontrollet po zhvillohen në Elbasan, Prrenjas, Librazhd dhe disa bashki të tjera të qarkut.

Në mbështetje të forcave vendore, në terren janë angazhuar edhe dy ekipe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.

Autoritetet pritet të japin detaje të tjera zyrtare mbi operacionin dhe identitetin e të arrestuarve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›