Gogu: Ivanka Trump në Kryeministri, dëshmi e besimit personal të presidentit Trump ndaj Ramës

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu ka deklaruar se prania e Ivanka Trump sonte në Kryeministri përbën një sinjal të fortë politik dhe njerëzor të besimit që presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka ndaj kryeministrit Edi Rama.
Në një intervistë televizive ministri Gogu theksoi se ftesa për Shqipërinë dhe për Ramën në Bordin e Paqes ka qenë personale dhe e drejtpërdrejtë nga presidenti Trump, çka sipas tij rrëzon pretendimet e opozitës se Kryeministri është “i padëshiruar” në arenën ndërkombëtare.
“Presidenti Trump i ka besuar një miku të vet që të mirëpresë vajzën e tij në vendin e tij, në shtëpinë e tij. Sot, vajza e Presidentit amerikan, një nga personat më të afërt të tij në botë, ndodhet me Kryeministrin”, u shpreh Gogu.
Ai shtoi se nga pikëpamja njerëzore, ky është një akt që flet vetë për nivelin e marrëdhënies mes dy liderëve, duke e cilësuar si një besim që nuk i jepet lehtë askujt.
Sipas Gogut, prania e Ivanka Trump në Tiranë dhe konkretisht sonte në Kryeministri bie ndesh me narrativën e opozitës, e cila njëkohësisht e cilëson Ramën si të padëshiruar dhe pretendon se ai nuk ka pasur rol në proceset ndërkombëtare të fundit.
“Faktet tregojnë të kundërtën. Sot Kryeministri nuk është i padëshiruar, por i dëshiruar”, deklaroi Gogu, duke theksuar se Shqipëria ka vepruar në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjin në procesin e përfshirjes në Bordin e Paqes.
/k.s/j.p/r.e/