E Diel, 1 Nëntor 2026

STRASBURG – Von der Leyen i mbijeton mocionit të mosbesimit në Parlamentin Evropian

STRASBURG, 22 janar /ATSH/- Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen i ka mbijetuar sot një votëbesimi në Parlamentin Evropian, pas një mocioni mosbesimi të paraqitur nga grupi ekstremist i djathtë “Patriots for Europe” (PfE), sipas “Euronews”.

Rezultati i votimit ishte i qartë: 390 eurodeputetë votuan kundër rrëzimit të Komisioneres, 165 në favor dhe 10 abstenime.

Për të rrëzuar shefen e KE-së, ishte e nevojshme që mocioni të kalonte dy të tretat e votave, që përfaqëson shumicën e të gjithë eurodeputetëve të pranishëm.

Meqë ky prag nuk u arrit, Von der Leyen mbetet në krye të Komisionit të BE-së.

Vendimi erdhi një ditë pas një sfide të rëndësishme për Komisionin. Parlamentit Evropian i është kërkuar të dërgojë marrëveshjen tregtare BE-Mercosur në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian për shqyrtim.

Mocioni i mosbesimit i grupit PfE u fokusua kryesisht tek nënshkrimi i marrëveshjes tregtare me vendet e Amerikës Latine, duke argumentuar se Komisioni nuk i kishte dëgjuar fermerët dhe qytetarët dhe se kishte tejkaluar kompetencat e veta.

Protesta të organizuara nga shoqatat e fermerëve u mbajtën jashtë Parlamentit në Strasburg gjatë javës. Megjithatë, shumica e grupeve politike e mbështetën presidenten e Komisionit.

Debati për mocionin u zhvillua të hënën në Strasburg, me Komisionerin e BE-së për Tregtinë, Marrëdhëniet Ndërinstitucionale dhe Transparencën, Maros Sefcovic, që përfaqësoi Komisionin.

Pothuajse asnjë nga liderët e grupeve politike nuk ishin të pranishëm, gjë që tregoi se mocioni nuk kishte interes të madh dhe rezultati i votës ishte i paracaktuar.

Përveç mbështetësve të mocionit, vetëm disa dhjetëra eurodeputetë të tjerë, kryesisht nga partitë ekstremiste të djathta, votuan për rrëzimin e Von der Leyen, edhe pse shumë eurodeputetë kanë kritikuar marrëveshjen Mercosur dhe politikat e saj.

Eurodeputetët nga grupet kryesore si Partia Popullore Evropiane (EPP), Socialistët dhe Demokratët (S&D), “Reneu Europe” dhe grupi i Gjelbër/ALDE mbështetën Von der Leyen.

Gjatë mandatit të dytë si presidente e Komisionit evropian, Von der Leyen i ka mbijetuar katër mocioneve të mosbesimit.

Votëbesimi i sotëm tregoi një rritje të mbështetjes për shefen e BE-së.

Megjithëse marrëveshja BE-Mercosur ka shkaktuar debate të forta dhe protesta, Von der Leyen ende ka besimin e shumicës së Parlamentit Evropian. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›