Gogu: Kushtetuesja nuk mund të kthehet në komision pagash

TIRANË, 6 shkurt /ATSh/ Ministri i Shtetit, Toni Gogu ka komentuar debatin mes qeverisë dhe shoqatave të gjyqtarëve e prokurorëve për çështjen e pagave, duke theksuar se qeveria nuk synon ulje pagash dhe se thelbi i konfliktit lidhet me kompetencat kushtetuese për piramidën e pagave.
“Në asnjë rast qeveria shqiptare nuk synon uljen e pagave të gjyqtarëve. Asnjë rast. Është e kundërta”, u shpreh Gogu gjatë një interviste televizive.
Sipas tij, ajo që po kërkohet është që Gjykata Kushtetuese të vendosë për pagat, gjë që sipas ministrit do të ishte devijim i rolit të saj.
“Gjyqtarët po kërkojnë që Gjykata Kushtetuese të kthehet në një komision pagash, t’i marrë kompetencën Kuvendit për të caktuar pagat dhe piramidën e pagave”, deklaroi ai.
Gogu e vendosi debatin në kornizën e integrimit europian, duke thënë se eficienca, vonesat dhe transparenca në emërime janë pjesë e kritereve që monitorohen.
“Ky debat lidhet me integrimin europian. Komisioni Evropian ngre çështje për vonesat në gjykata, për emërimet e transferimet… dhe pavarësia nuk do të thotë të mos japësh llogari”, tha ministri.
Ai insistoi se pagat janë kompetencë e pushtetit ligjvënës dhe se skema aktuale garanton indeksim automatik.
“Pagën e cakton Parlamenti i Shqipërisë… dhe paga e gjyqtarëve është e lidhur me majën e piramidës së pagave, pagën e Presidentit. Sa herë indeksohet ajo, indeksohen automatikisht edhe pagat e gjyqtarëve”, u shpreh Gogu.
Sipas tij, debati duhet të fokusohet te standardet e llogaridhënies dhe funksionimit, jo te “pazari i pagave”.
“Nuk duhet ta zbresim në pazar pagash. Është çështje shteti, hierarkie dhe kushtetute”, tha Gogu.
/m.q/j.p/