Gogu: Kuvendi është për opozitën, por integrimi në BE nuk ndalet

TIRANË, 20 janar/ATSh/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu deklaroi sot se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është i pandalshëm dhe se opozita nuk mund të vendosë “shkopinj nën rrota”.
Deklaratën Gogu e bëri gjatë një konference për medie, të zhvilluar në Kryeministri, me në fokus fazën e re të negociatave me Bashkimin Evropian dhe angazhimin politik për t’ia dalë mbanë.
Në konferencë ishin të pranishme edhe Majlinda Dhuka, ministre Shteti dhe Kryenegociatore, si dhe Adea Pirdeni, ministre Shteti për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me marrëdhënien mes mazhorancës dhe opozitës në Kuvend, Gogu tha se Kuvendi është vend për opozitën.
“Kuvendi është i opozitës për të përmirësuar ligjet dhe për t’i debatuar ato dhe për të qenë bashkë me ne për të evropianizuar Kuvendin, shoqërinë shqiptare dhe çdo institucion.
Thënë kjo, midis të ardhmes europiane të çdo familje shqiptare që lidhet drejt për drejt me ato dy reforma (Zgjedhore dhe Territoriale – shën. i red.), sepse të bërtasësh nga njëra anë që zgjedhjet ishin të pandershme, dhe nga krahu tjetër të mos marrësh pjesë në komisionin për Reformën Zgjedhore ku ndarja është e barabartë, është e paarsyeshme”, tha Gogu.
“Dhe nga ana tjetër, – shtoi ai, – të mos bëhesh pjesë e procesit të decentralizimit, me reforma që lidhen drejtpërdrejt me mirëqënien e qytetarëve, nuk na lë rrugë tjetër, por ne do t’i kthehemi verdiktit të urtë të votuesit shqiptar, ku 83 mandatet janë për anëtarësimin europian dhe është prokura më e besueshme që na kanë dhënë shqiptarët dhe do të ushtrojmë detyrën që ata na kanë ngarkuar, që integrimi në BE të mos ngecë në vend. Nëse opozita do të na vërë në këtë sprovë, jam i bindur që integrimi europian do të jetë i pandalshëm, pasi s’mund t’i vëmë shkopinj nën rrota.”
/r.e/