E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla takim me Gonzato-n: Reforma zgjedhore dhe territoriale, kyçe për integrimin europian

TIRANË, 20 janar /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, priti në Kuvend ambasadorin e Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, në nisje të sesionit të ri parlamentar.

Në fokus të takimit ishte agjenda e ngjeshur ligjvënëse e këtij sesioni, ku parashikohet shqyrtimi i një numri të madh projektligjesh, si edhe avancimi i dy reformave të rëndësishme, Reformës Zgjedhore dhe Reformës Territoriale.

Balla theksoi rolin kyç të Kuvendit në këtë fazë vendimtare të procesit të integrimit europian.

“Diskutuam mbi avancimin e procesit të integrimit europian, rolin kyç të Kuvendit në këtë fazë vendimtare të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, me objektin tonë të qartë ngritjen e flamurit tonë kuqezi në oborrin e Brukselit deri më 28 nëntor 2030”, theksoi Balla.

Balla shprehu krenarinë për ecurinë e deritanishme të vendit në negociata, duke theksuar se, Shqipëria ka hapur të gjithë grupkapitujt dhe po ecën me vendosmëri drejt mbylljes së tyre, mbi bazën e meritës, reformave konkrete dhe respektimit të vlerave europiane.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›