Gonxhja: 17% më shumë vizitorë vendas e të huaj në sitet kulturore në 5 muajt e parë të vitit

TIRANË, 16 qershor/ATSH/ Viti 2025 ka shënuar rekorde historike për turizmin kulturor në Shqipëri.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka publikuar shifrat të cilat flasin qartë për rritjen e vizitueshmërisë që nga kalatë madhështore, muzetë plot histori, e deri tek parqet arkeologjike që magjepsin çdo vizitor.
Prej janarit e deri në maj të këtij viti, monumentet e kulturës e objekte të trashëgimisë kulturore u vizituan prej 382,036 persona. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, kjo shifër është 17% më e lartë.
Listën e destinacioneve më të vizituara e kryesojnë Muzetë Kombëtarë me 133,862 vizitorë. Më pas vijonë Parqet Arkeologjike me 174,661 vizitorë, si edhe 74,513 vizitorë në Kala dhe Monumente.
“Trashëgimia jonë kulturore, nga muzetë te parqet arkeologjike e kalatë që ruajnë shpirtin e historisë shqiptare, kanë mirëpritur në 5-mujorin e parë të këtij viti, 382,036 vizitorë vendas dhe të huaj, një rritje prej 17% krahasuar me vitin 2023”, tha ministri Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.
Sitet kulturore në janar-shtator 2024 patën 40% më shumë turistë të huaj dhe 31% më shumë vizitorë vendas.
Listën e destinacioneve më të vizituara e kryeson Kalaja e Gjirokastrës me 196,515 vizitorë. Pas saj renditet Parku Kombëtar i Butrintit me 127,753 vizitorë dhe në vend të tretë për nga vizitueshmëria qëndron Muzeu “Gjergj Kastrioti”, Krujë me 100,874 vizitorë.
Turistët vendas dhe të huaj gjatë vizitave në sitet kulturore të vendit 1 nga 33/e.i/ /a.g/