Gonxhja: Buxheti 2027 zgjeron mbështetjen për të rinjtë, më shumë fonde për programe dhe infrastrukturën rinore

schedule13:36 - 6 Nëntor, 2026
Buxheti i vitit 2027 parashikon rritjen e mbështetjes financiare për turizmin, kulturën dhe veçanërisht programet që synojnë fuqizimin e të rinjve.
Ministri Blendi Gonxhja, në një intervistë për “News Line”, bëri të ditur se fondet do të orientohen drejt zgjerimit të infrastrukturës rinore, shtimit të programeve për të rinjtë e talentuar, mbështetjes digjitale dhe krijimit të mundësive të barabarta për zhvillimin e tyre.
Sipas ministrit, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe bashkëpunimit me universitetet dhe institucioneve që përfshijnë të rinjtë në aktivitete kulturore, arsimore dhe sportive.
“Programi që mbulohet nga aktiviteti rinor do të kenë fond të tyre. Janë programe të panumërta. Zgjerojmë infrastrukturën rinore, me pika ku të rinjtë mund të mblidhen dhe të kenë takime më të organizuara. Rriten pikat e të rinjve, ku mund të organizohen. Të gjitha këto vijnë me një buxhet që nuk diskutohet, kemi Agjencinë Kombëtare të Rinisë që është mjaft e gjallë, aktive dhe mjaft e besueshme për këtë brez që ka atë pasigurinë për të nesërmen.
Duam të ofrojmë mundësi të barabarta për të gjithë, të aksesueshme për të gjithë. Ta bëjmë këtë gjë me një meritokraci. Buxheti 2027 ndihmon në programe të shumta, që lidhen me mbështetjen digjitale. Shtojmë programet për të rinjtë e talentuar. Nevojat dhe mundësinë janë diçka që mund të jenë të ekuilibruara. Buxheti për rininë është më i gjerë se kaq, sepse përfshihet Ministria e Arsimit e Inovacionit e shumë të tjera.
Po punojmë fort edhe me Paktin e Universitetit. Ne jemi shumë të lidhur me Universitetin e Arteve, por edhe të Arkeologjisë. Gjithë ministria është një laborator shumë i madh, ku të gjithë të rinjtë janë të përfshirë. Aktivitetet sportive janë shumë të lidhura me të rinjtë. Gjithë fuqizimi i këtyre portofolave, të gjitha i bëjnë hyzmetin brezit të ri. Është një privilegj nga ana jonë që i përgjigjemi për këtë pjesë të shoqërisë”, tha Gonxhja.
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!


