E Diel, 1 Nëntor 2026

Gonxhja: Mbështetje investimeve të reja dhe zhvillimit afatgjatë në zonat rurale


TIRANË, 18 shkurt/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja takoi sot përfaqësues të Shoqatës së Agroturizmit, me të cilët diskutoi mbi zhvillimet e sektorit, sfidat dhe mundësitë për rritjen e mëtejshme të agroturizmit në Shqipëri.

Ministri dëgjoi përfaqësuesit e Shoqatës së Agroturizmit si dhe vlerësoi rolin e tyre në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, fuqizimin e ekonomive lokale dhe promovimin e trashëgimisë rurale. Gjatë takimit u riafirmua rëndësia e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërinstitucional, me synimin për të adresuar problematikat ekzistuese.

Kreu i MTKS shprehu vendosmërinë për të lehtësuar proceset mbështetëse dhe për të ndërtuar politika që nxisin investime të reja dhe zhvillim afatgjatë në zonat rurale.

Gjithashtu, shprehu mbështetjen e Ministrisë për Shoqatën e Agroturizmit, në funksion të forcimit të sektorit dhe rritjes së cilësisë së ofertës turistike, por dhe mirëqenies së komuniteteve e përfitimeve të drejtpërdrejta që aktiviteti i tyre i jep edukimit të brezave dhe pasurimit të itinerareve e eksperiencave të natyrës dhe traditës.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›