Krasniqi: Gjykoni çdo provë me durim, s’do të gjeni “ndërmarrje të përbashkët kriminale”

PRISHTINË, 18 shkurt /ATSH/ Në Gjykatën Speciale të Kosovës, në Dhomat e Specializuara në Hagë, u zhvillua sot seanca e fundit gjyqësore para shpalljes së vendimit në ngarkim të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, u paraqit sot me kravatë me shqiponjën dykrenare në gjyqësore në Gjykatën Speciale të Hagës.
Ish-zëdhënësit i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi në fjalën e tij para trupit gjykues në Hagë tha se nuk e kupton logjikën e akuzës ndaj tij. Krasniqi, kërkoi nga trupi gjykues në Hagë që të gjykojë secilën provë me durim, për çka tha se nuk do të gjejnë “ndërmarrje të përbashkët kriminale”.
Ai e përfundoi fjalën e tij duke kërkuar drejtësi.
“Sot ndodhem në vitin tim të 16-të të burgimit vetëm pse luftova për liri dhe pavarësi. Qëndroj para jush jo si kriminel, por njeri i lindur dhe i kalitur nga luftërat. Më janë mohuar të drejtat e njeriut. M’u mohua dhe m’u ndalua e drejta më njerëzore, e drejta për ta dashur hapur vendin tim. Për këto virtyte u prangosa më 4 nëntor 2020. Padrejtësia e këtij rasti u shkrua mbi vetë aktakuzën.
Kur e vërteta thuhet thjeshtë nuk ka nevojë për zbukurime”, tha Krasniqi.
Ai theksoi se brezi i tij e kishte një vizion: jetën në liri. “Ishte ky vizion që udhëhoqi luftën”, tha Krasniqi.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, të cilët ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga muaji nëntor i vitit 2020, akuzohen nga Zyra e Prokurorit Speciale për krime lufte, duke kërkuar nga 45 vite burg për secilin nga të pandehurit.
Gjyqi në Hagë mbylli sot punimet, ku mbrojtja kërkoi pafajësi të plotë për të katërt të pandehurit, teksa brenda 3 muajve trupi gjykues duhet të dalë me vendim.
Sot, gjatë seancës, të pranishëm ishin dhe një numër i madh familjarësh. Në këtë seancë merr pjesë edhe zëvendëskryeministri Glauk Konjufca.
Deklarimet përmbyllëse kanë nisur më 9 shkurt. Gjykimi ndaj katërshes së UÇK-së ka filluar më 3 prill 2023, gati tre vjet pas konfirmimit të aktakuzës, prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
/KosovaPress//r.e/