Gonxhja: Ndërhyrjet konservuese në Spaç, të kufizuara dhe të kontrolluara

TIRANË, 7 qershor/ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka reaguar publikisht pas debatit të ngritur në media lidhur me punimet konservuese në ish-burgun e Spaçit, duke publikuar pamje që sipas tij dëshmojnë qartë situatën reale dhe zbatimin korrekt të projektit.
Në sqarimin e dhënë nga ministri, theksohet se nuk është pjesë e projektit dhe as e kontratës ringritja e banjove apo terracës mbi to, dhe se këto elementë nuk janë miratuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës (IKTK).
Sa i përket elementëve të tjerë të përfshirë në kontratën si një kullë metalike, pjesë rrethimi, një portë dhe një fragment kangjelle, ministri bën të ditur se ato do të realizohen vetëm pas një procesi të zbërthimit të detajuar, bazuar në fotografi dhe dëshmi historike.
Gjithashtu, këto struktura do të jenë të përkohshme dhe të çmontueshme, për të mos penguar ndërhyrjet e ardhshme të mundshme në përputhje me planin e menaxhimit të zonës muzeale.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Gonxhja thekson se çdo përgjegjësi gjatë fazës së zbatimit të projektit është nën shqyrtim, ndërsa masat për monitorim janë ndërmarrë edhe nga IKTK.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit reagoi edhe një ditë më parë ndaj kritikave për punimet në ish-burgun e Spaçit dhe projektin filmik mbi Revoltën e vitit 1973, duke i cilësuar si keqinformime dashakeqe.
Sipas saj, ndërhyrjet konservuese janë të menduara për të ruajtur kujtesën historike dhe sigurinë e sitit, ndërkohë që filmi përfaqëson një përpjekje të sinqertë për të dokumentuar rezistencën antikomuniste.
Ministria sqaroi se plani i menaxhimit i miratuar në vitin 2024 përfshin konsultime të gjera dhe strategji për kthimin e Spaçit në një muze të kujtesës.Ndërsa theksoi se ndërhyrjet aktuale janë minimale dhe të përkohshme, pa cënuar autenticitetin e vendit./a.gj/ /a.g/
1 nga 9