E Diel, 1 Nëntor 2026

Gonxhja: Shqipëria, alternativë turistike e sigurt pas anulimeve në Lindjen e Mesme

TIRANË, 27 mars /ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja deklaroi sot se Shqipëria po shfaqet si një nga destinacionet më tërheqëse për turistët që kanë anuluar pushimet në vendet e Lindjes së Mesme, për shkak të konflikteve dhe situatave të pasigurta në rajon.

Gjatë një konference për mediet, Gonxhja theksoi se vendi ka potencial të lartë zhvillimi turistik dhe ofron një gamë të gjerë eksperiencash dhe shërbimesh për vizitorët.

Ministri bëri të ditur se së fundmi po lidhen kontrata të reja me turistë nga vende të ndryshme që kanë anuluar pushimet e tyre në Lindjen e Mesme, duke treguar një interes të rritur për Shqipërinë si destinacion.

“Turistët janë në rritje, sa i takon atyre që do shkonin në Lindjen e mesme, me keqardhje, sepse nuk na kënaq fatkeqësia e askujt, po Shqipëria është një alternativë shumë e mirë e planeve të reja. Ata që do shkonin në Lindjen e Mesme për turizëm, do ta kenë Shqipërinë një nga ofertat më të mira, dhe kjo po ndodh. Nëse ka pasur kontrata nga vendet e Lindjes së Mesme për të ardhur në Shqipëri, kjo po ndodh”, tha Gonxhja.

Gonxhja theksoi rëndësinë e promovimit të Shqipërisë si një vend i sigurt, me oferta të pasura kulturore, natyrore dhe turistike, duke e pozicionuar vendin si një alternativë të besueshme dhe tërheqëse për vizitorët ndërkombëtarë.

Ai gjithashtu nënvizoi se qeveria shqiptare do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e turizmit dhe përmirësimin e infrastrukturës turistike, me qëllim rritjen e numrit të vizitorëve dhe forcimit të imazhit të Shqipërisë në tregjet globale turistike.

/e.xh/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›