E Diel, 1 Nëntor 2026

Lirohen hapësirat publike në Orikum, hapet rruga për Lungomare 3

TIRANË, 27 mars/ATSH/ Me lirimin e hapësirave publike në Vlorë po i hapet rrugë realizimit të plotë të projektit Lungomare 3.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga aksioni i IKMT-së për prishjen e objekteve pa leje në zonën e Orikumit.

“Mbyllet lirimi i hapësirave publike, që i hap rrugë realizimit të plotë të projektit Lungomare 3 Vlorë-Radhimë-Orikum, i cili po e transformon vijën bregdetare në atë zonë”, tha Rama.

Gjatë ditës së sotme IKMT po vijon prishjen e 18 objekteve pa leje në Orikum. Objektet e prishura përfshijnë ndërtime me konstruksion betonarme me sipërfaqe totale rreth 480 m², ndërtime druri me sipërfaqe 450 m² dhe tenda me konstruksione metalike.

Orikum-Lungomare 3, bajpasi që shtrihet mbi kodrat e rrugës Vlorë-Orikum do të mundësojë një frymëmarrje krejt të re për Vlorën.

Ky investim strategjik zgjeron hapësirën e turizmit cilësor të Vlorës dhe krijon kushtet optimale për vijimin me Lungomaren 4 në zonën e Orikumit, duke e bërë Vlorën qytetin bregdetar me shëtitoren më të gjatë në Mesdhe.

Lungomare 3 do t’i shërbejë jo vetëm banorëve të zonës, por gjithë turistëve vendas e të huaj që frekuentojnë Rivierën Shqiptare.

/k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›