Gonxhja: Zbulohet një kompleks termal romak në Lushnje

Një zbulim i rëndësishëm arkeologjik është bërë në fshatin Zgjanë të Lushnjes, ku specialistët kanë nxjerrë në dritë gjurmët e një kompleksi termal të periudhës romake.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili thekson se zbulimi është rezultat i punës së specialistëve të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK), në bashkëpunim me Departamentin e Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, si dhe Bashkinë Lushnje.
Sipas Gonxhes, gërmimet arkeologjike kanë zbuluar jo vetëm strukturat e kompleksit termal, por edhe ambiente të lidhura me të, duke e renditur këtë ndër zbulimet më të rëndësishme arkeologjike në zonën e Lushnjes gjatë dekadave të fundit.
“Specialistët e IKTK-së, në bashkëpunim me Departamentin e Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë dhe Bashkisë Lushnje, kanë zbuluar një sit të ri arkeologjik në fshatin Zgjanë. Gërmimet kanë nxjerrë në dritë gjurmët e një kompleksi termal të periudhës romake dhe ambienteve të lidhura me të, një nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike në zonën e Lushnjes në dekadat e fundit.
Kërkimet vijojnë dhe pritet të sjellin të dhëna të reja mbi historinë e zonës, duke shtuar potencialisht një monument të ri kulture dhe një atraksion të rëndësishëm për turizmin kulturor”, shkruan Gonxhja.
/rtsh.al/