Gonxhja inspekton plazhet publike të Kavajës: Akses i lirë dhe i barabartë për pushuesit

TIRANË, 19 qershor/ATSH/ Me nisjen e sezonit turistik veror vëmendja ndaj menaxhimit të hapësirave publike në bregdet vijon të jetë në fokus të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
Në plazhet publike të Kavajës, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, zhvilloi inspektime në terren dhe diskutoi me qytetarë dhe banorë mbi zbatimin e rregullores për plazhet publike dhe garantimin e të drejtës së çdonjërit prej tyre, për të pasur akses të lirë e të barabartë në bregdet.
Ministri Gonxhja theksoi angazhimin për mbrojtjen e hapësirave publike, respektimin e të drejtave të banorëve që jetojnë pranë këtyre zonave, si dhe për krijimin e kushteve që plazhet të jenë të pastra, të sigurta dhe në funksion të interesit publik.
Inspektimet në vijën bregdetare janë pjesë e masave të ndërmarra për sezonin turistik veror, me qëllim garantimin e një menaxhimi më të mirë të hapësirave publike dhe përdorimin e tyre në shërbim të komunitetit dhe vizitorëve.
Në fokus mbetet gjithashtu bashkëpunimi me njësitë vendore dhe komunitetet lokale, për të garantuar që plazhet publike të jenë të aksesueshme, të pastra dhe të sigurta gjatë gjithë periudhës së verës, duke u shërbyer njësoj si banorëve ashtu edhe vizitorëve vendas e të huaj.
/k.s/ /a.g/