E Diel, 1 Nëntor 2026

Laborator falsifikimi dokumentesh në Durrës, arrestohen babë e bir dhe bashkëpunëtori i tyre

TIRANË, 19 qershor/ATSH/ Policia e Tiranës arrestoi 3 shtetas, dy prej të cilëve babë e bir, që kishin vënë banesën në dispozicion për një laborator për falsifikim të dokumenteve kundrejt shumave 3000-5000 euro.

Sipas Policisë, arrestimet u kryen si rezultat i operacionit “Gjeneralitetet”, të kryer nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, me qëllim dokumentimin e veprimtarisë kriminale të disa shtetasve, të dyshuar të përfshirë në mënyrë të organizuar, në falsifikim të dokumenteve, në një ambient të përshtatur për këtë qëllim.

Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë autorët e dyshuar të këtij rasti, shtetasit H. M., 53 vjeç dhe S. M., 24 vjeç, babë e bir, dhe shtetasi E. V., 37 vjeç.

Gjatë kontrolleve rezultoi se të arrestuarit kishin përshtatur banesën e shtetasve H. M. dhe S. M., në fshatin Rrushkull, Durrës, për falsifikim të dokumenteve si: diploma, dokumente shkollore të tjera, certifikata, vërtetime gjyqësore dhe dokumente për aplikime në institucione të ndryshme. Në këtë ambient u gjetën 2 vula false, 6 celularë dhe 3 kompjuterë, që dyshohet se i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale, si dhe dhjetëra dokumente të dyshuara false.

Hetimi vijon për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të kenë bashkëpunuar me të arrestuarit, për këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Foto nga operacioni i policisë së Tiranës 1 nga 3

/k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›