E Diel, 1 Nëntor 2026

Gonxhja takim me operatorët turistikë në Pogradec

TIRANË, 6 qershor /ATSH/ Në Pogradec u zhvillua sot një ardhje simbolike me hidroplan, si një formë e re dhe inovative që synon të promovojë dhe të nxisë zhvillimin e turizmit në vend, duke vënë në vëmendje potencialin e veçantë që ofron kjo zonë.

Me rastin e çeljes së sezonit turistik, Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, së bashku me kryetarin e bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli, zhvilluan një takim me operatorët turistikë lokalë. Gjatë takimit u diskutua mbi ecurinë e sektorit të turizmit, si dhe mbi sfidat që kërkojnë një bashkërendim më të madh institucional dhe vendor.

Ndër çështjet kryesore të trajtuara ishin menaxhimi i plazheve bregliqenore, përmirësimi i standardeve të shërbimit për vizitorët, ruajtja e pastërtisë dhe mbrojtja e mjedisit, të cilat u vlerësuan si elementë thelbësorë për garantimin e një eksperience cilësore turistike.

Ministri Gonxhja vlerësoi kontributin e sipërmarrësve lokalë dhe theksoi gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit. Ai u shpreh se Pogradeci mbetet një nga destinacionet më të veçanta turistike në vend, me potencial të jashtëzakonshëm natyror dhe kulturor, ku edhe elementët më karakteristikë të zonës, përfshirë traditat dhe natyra e saj unike, përbëjnë një vlerë të shtuar për ofertën turistike shqiptare.

Angazhimi institucional, u theksua gjatë takimit, do të vijojë në drejtim të mbështetjes së çdo iniciative që rrit cilësinë e shërbimeve dhe konsolidon më tej pozicionin e Pogradecit si një destinacion i rëndësishëm turistik në Shqipëri.

/e.i/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›