Gonzato: Koha për një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore

TIRANË, 27 maj /ATSH/ Ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë, Silvio Gonzato tha sot nga Korça se Shqipëria duhet të bëjë një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore. Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, Gonzato theksoi se kjo është detyrë e qeverisë dhe e parlamentit.
“Nuk e di nëse kanë dalë rekomandimet përfundimtare, ndërkohë që unë jam këtu, por natyrisht që kam parë rekomandimet paraprake. Ka patur gjithashtu një deklaratë shumë të qartë nga Brukseli dhe është një element që unë dua ta përmend, që unë e kam shumë kryesor, siç e ka thënë dhe Përfaqësuesja e Lartë Kallas, është koha tashmë që qeveria shqiptare, por edhe parlamenti, të miratojë një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore e cila të përfshijë të gjitha rekomandimet e shkuara e të tashme nga OSBE-ODIHR.
“Rezultati i jep një përgjegjësi jashtë mase qeverisë shqiptare që ta ndërmarrë e ta kryejë këtë reformë kaq të gjerë, sepse me patjetër që i ka numrat. Nga ana tjetër është dhe pritshmëria e shqiptarëve, duke qenë se Shqipëria është në këtë rrugëtim për t’u bërë pjesë e BE-së”, tha Gonzato.
Gonzato vlerësoi punën e Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për administrimin e procesit, si dhe për bashkëpunimin me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
“Në raport me atë çfarë patë, kemi një raport të OSBE/ODIHR i cili pasqyron si kanë qenë këto zgjedhje, ndërkohë që i ka njohur me standardet. Ndërkohë që përmenden dhe çështje si përdorimi i burimeve publike, por administrimi i zgjedhjeve është përgëzuar si i tillë nga raporti i OSBE/ODIHR, ndaj po e theksoj që kjo është diçka e cila duhet trajtuar nëpërmjet një reforme gjithëpërfshirëse në të ardhmen. Dua të vlerësoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për punën që ata kanë bërë, Prokurorinë e Përgjithshme, SPAK, që do të thoja ka qenë një bashkëpunim ekzemplar”, tha Gonzato.
I pyetur në lidhje me qëndrimet e opozitës për mosnjohjen e zgjedhjeve, Gonzato tha se çdo parti që mendon se ka parregullsi le t’i rapotojë tek organet përkatëse.
“Do doja të thoja që çdo parti e cila mendon apo ndjen se ka patur parregullsi, patjetër le t’i raportojë ato, le të ankohet tek organet përkatëse, që janë organet që administrojnë zgjedhjet dhe natyrisht edhe tek organet gjyqësore. Kjo është mënyra se si duhet të shkojnë gjërat. Megjithatë, shpresoj që të dyja partitë kanë theksuar një sërë herësh përkushtimin e tyre ndaj procesit të anëtarësimit dhe përpjekjeve të Shqipërisë për të shkuar drejt BE, do të punojnë realisht në këtë drejtim”, tha Gonzato.
/a.f/r.e/