Gonzato: Shoqëri civile e fortë dhe aktive, jetike për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE

TIRANË, 28 prill /ATSH/ Zgjedhjet e vitit 2025 kanë një rëndësi kyçe, pasi zhvillohen pak kohë pasi Shqipëria nisi negociatat për grup-kapitullin 1, i cili fokusohet te sundimi i ligjit dhe proceset demokratike.
Në këtë kuadër, BE-ja ka mbështetur krijimin e Grupit të OJF-ve për Monitorimin e Zgjedhjeve, duke promovuar zgjedhje gjithëpërfshirëse, transparente dhe të besueshme.
Kjo nismë është pjesë e përpjekjeve tona më të gjera për të forcuar institucionet demokratike dhe për të nxitur procese zgjedhore gjithëpërfshirëse, transparente dhe të besueshme në Shqipëri, bëri të ditur delegacioni i BE.
“Shoqëria civile është thelbësore për ndërtimin e besimit, duke monitoruar, duke nxitur dialogun dhe duke mobilizuar qytetarët, veçanërisht votuesit për herë të parë dhe grupet e margjinalizuara”, u shpreh ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato në këtë aktivitet.
“Është inkurajuese të shohësh mbi 200 aktivistë tashmë të angazhuar. Një shoqëri civile e fortë dhe aktive është jetike për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, për të siguruar që ky proces të jetë gjithëpërfshirës dhe që reformat të jenë të qëndrueshme”, theksoi Gonzato.
“Ne do të vazhdojmë të mbështesim organizatat e shoqërisë civile shqiptare që mbrojnë vlerat demokratike dhe të drejtat e njeriut”, tha ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato.
1 nga 3