Blushi me tregtarë në Kavajë: Taksat lokale, jo më shumë se 1 % të xhiros vjetore

TIRANË, 28 prill/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi zhvilloi sot takime në Kavajë, në tregun e qytetit, për të dëgjuar hallet e njerëzve të thjeshtë. Siç u shpreh ai në rrjetet sociale, gjatë takimeve shpjegoi me kujdes programin për biznesin e vogël dhe bujqësinë.
Blushi tha se do mbrohen në sezon të gjitha prodhimet “Made in Albania” dhe nuk do lejohen importe që dëmtojnë dhe bllokojnë prodhimin vendas.
Po ashtu, ai shpjegoi dhe pikat e tjera të koalicionit “PD-Shqipëria Madhështore” për këtë sektor duke vënë në dukje se do të jetë subvencione për çdo kokë bagëti.
Po ashtu, Blushi premtoi subvencione për çdo njësi prodhimi, për bujqësinë, uljen e kostove të prodhimit, zero taksim për biznesin e vogël.
Sipas tij, taksat lokale nuk do të kalojnë 1% të xhiros vjetore si dhe do vendoset taksa e sheshtë 10% mbi kapitalin.
“Më 11 maj merr fund monopoli i importeve, që prodhimi vendas të mos përfundojë në kanal, por në tezgat dhe kuzhinat e shqiptarëve”, u shpreh Blushi.