SHBA – Trump: Anulova valën e dytë të sulmeve ndaj Venezuelës

UASHINGTON, 9 janar /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan Donald Trump, deklaroi sot se një valë e dytë sulmesh ndaj Venezuelës është anuluar për momentin, duke përmendur lirimin e të burgosurve politikë në vendin e Amerikës së Jugut.
Presidenti Trump vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin pozitiv mes dy vendeve, veçanërisht në sektorin e infrastrukturës së naftës dhe gazit, pas kapjes javën e kaluar të udhëheqësit venezuelian Nicolas Maduro dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores, nga forcat amerikane, pas muajsh presioni të shtuar ndaj regjimit të tij autoritar.
“Për shkak të këtij bashkëpunimi, kam anuluar valën e dytë të sulmeve që pritej më herët, e cila duket se nuk do të jetë e nevojshme. Megjithatë, të gjitha anijet do të qëndrojnë në pozicion për arsye sigurie dhe mbrojtjeje”, shkroi Trump në rrjetin e tij social Truth Social, duke iu referuar anijeve luftarake amerikane të dislokuara në brigjet e Venezuelës.
Sipas president Trump, Venezuela po liron një numër të madh të burgosurish politikë si shenjë e kërkimit të paqes.
Qeveria në Karakas kishte njoftuar më herët lirimin e shumë të ndaluarve venezuelianë dhe të huaj, mes të cilëve raportohet se përfshihen figura të njohura të opozitës, si aktivistja për të drejtat e njeriut, Rocío San Miguel./ /Ad.Ab./ a.jor.