Gripi A rrit fluksin e vizitave në Korçë, fëmijët në pediatri me temperaturë dhe komplikacione

Deri në 70 vizita në ditë janë kryer gjatë muajit janar nga mjekët e spitalit të Pediatrisë në Korçë, për shkak të shpërthimit të virozave të stinës dhe kryesisht të gripit të tipit A. Shefi i shërbimit të pediatrisë Robert Rado tregon se rastet kanë qenë të shumëllojshme nga ato të lehta por edhe raste me komplikacione të rënda të cilat kanë kërkuar edhe trajtim spitalor.
“Gjatë muajit janar kemi patur një rritje të fluksit të fëmijëve që paraqiten në urgjencën pediatrike. Gjatë kësaj periudhe kemi një shfaqje të viruseve të gripit që kryesisht janë të tipit A. Kemi patur një mesatare 60 vizita në ditë. Ka patur raste me simptoma të lehta deri në ato që kanë dhënë komplikacione”, tha Shefi i Shërbimit të Pediatrisë, Robert Rado.
Mjeku sugjeron që të evitohen sa të jetë e mundur grumbullimet në mënyrë që virusi të mos përhapet, pasi ky lloj gripi është i shoqëruar me temperaturë të lartë e të zgjatur, çka e bën edhe më të vështirë kurimin.
“Duhet të shmangen grumbullimet e mëdha për shkak se ky lloj virusi transmetohet përmes ajrit. Një nga simptomat kryesore të këtij gripi është temperatura e lartë që shkon deri në 40. Në rastet kur temperatura vazhdon mbi 1 javë, atëherë duhet menduar për komplikacionet që jep gripi”, theksoi mjeku
Një dietë e shëndetshme, por edhe konsumimi i lëngjeve dhe çajrave janë të domosdoshme për të gjithë qytetarët e sidomos fëmijët e prekur nga gripi.
Gazetare: Kostanca Koçi
/rtsh.al/