E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë- Fusnin veshje luksi kontrabandë nga Kina dhe Turqia, 3 persona në pranga dhe 4 nën hetim

Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Brand 3”, të zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar. Ky operacion u organizua pas informacioneve të siguruara për një rast kontrabande me mallra të ardhura nga jashtë dhe shitjen e tyre në informalitet.

Gjatë hetimeve u identifikuan 7 shtetas, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kontrabandonin veshje nga Kina dhe Turqia, i magazinonin në Tiranë dhe më pas i shisnin duke shmangur detyrimet tatimore.

Në kuadër të operacionit, policia kapi në flagrancë 3 prej tyre, teksa transportonin me dy automjete 17 valixhe me veshmbathje të markave të shtrenjta, të dyshuara si të kontrabanduara. Mallrat dhe automjetet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në pranga kanë rënë S. B., 69 vjeç, B. Ll., 72 vjeç dhe A. B., 57 vjeç, ndërsa u proceduan penalisht katër të tjerë, R. Ll., 45 vjeç, I. B., 39 vjeç, E. B., 23 vjeç; dhe Z. M., 65 vjeç.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Shkelja e të drejtës së pronësisë industriale”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›