Grupi ndërkombëtar "Majestic Hospitality", interes për investime në turizëm dhe hoteleri - ATSH -
TIRANË, 5 nëntor /ATSH/ Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) bën me dije se grupi ndërkombëtar Majestic Hospitality Group është rikthyer në Shqipëri për të vijuar eksplorimin e mundësive të investimit dhe bashkëpunimit në sektorin e turizmit dhe hotelerisë.
Sipas AIDA-s, rikthimi i grupit vjen pas interesit të shprehur gjatë forumit Future Hospitality Forum, ku u krijuan kontakte me aktorë të tregut vendas, të cilat tashmë po ndiqen përmes takimeve konkrete.
Gjatë vizitës në Shqipëri, përfaqësuesit e Majestic Hospitality Group u pritën në një takim nga drejtoresha ekzekutive e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, Laura Saro. Në takim u diskutua mbi interesin e grupit për tregun shqiptar, potencialin që ofron vendi në fushën e turizmit dhe hotelerisë, si dhe hapat e mëtejshëm për zhvillimin e bashkëpunimit.
Në kuadër të vizitës, AIDA lehtësoi edhe dy takime me kompani shqiptare, në vijim të kontakteve të vendosura gjatë forumit, me synim shqyrtimin e mundësive për partneritete të mundshme.
AIDA informon se përfaqësuesit e grupit po vijojnë vizitën në Shqipëri, ku do të njihen nga afër me potencialin e tregut dhe mundësitë për investime në sektorin e turizmit dhe hotelerisë.
/e.i/j.p/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
