Guardiola kërkon reagim ndërkombëtar për situatën humanitare në Gaza

BARCELONË, 30 janar /ATSH/ – Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, ka bërë thirrje për më shumë mbështetje humanitare për fëmijët palestinezë, gjatë një aktiviteti bamirës të mbajtur të enjten mbrëma në Barcelonë.
Guardiola iu drejtua publikut në arenën sportive Palau Sant Jordi, në kuadër të koncertit bamirës “Act X Palestine”, i organizuar nga organizata të të drejtave të njeriut dhe institucione kulturore katalanase, me synimin për mbledhjen e fondeve për ndihmë humanitare dhe rindërtim kulturor në Palestinë.
Sipas mediave ndërkombëtare, trajneri katalanas theksoi rëndësinë e reagimit human përballë vuajtjeve të civilëve, veçanërisht fëmijëve të prekur nga konflikti në Gaza, duke bërë thirrje që komuniteti ndërkombëtar të mos mbetet indiferent.
Guardiola, i njohur për qëndrimet e tij publike mbi çështje të të drejtave të njeriut, kritikoi mungesën e veprimit nga ana e udhëheqësve globalë dhe nënvizoi se situata aktuale kërkon solidaritet dhe përgjegjësi ndërkombëtare.
Në fjalën e tij, ai bëri gjithashtu referenca historike, duke e krahasuar situatën aktuale me periudha të vështira të përjetuara nga qyteti i Barcelonës gjatë Luftës Civile Spanjolle.
Koncerti “Act X Palestine” synon të ndërgjegjësojë opinionin publik dhe të sigurojë mbështetje për projektet humanitare dhe kulturore në territoret palestineze, raportojnë media të huaja.