E Diel, 1 Nëntor 2026

Guterres apel SHBA-së, Izraelit dhe Iranit: Ndaloni sulmet, lufta rrezikon të zgjerohet

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit që të ndalojnë menjëherë sulmet, duke paralajmëruar rrezikun e një lufte më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Në një konferencë shtypi për situatën në Lindjen e Mesme, Guterres tha se mesazhi i tij është i qartë.

“Për Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin: është koha e lartë të ndalet lufta që po shkakton vuajtje të mëdha njerëzore dhe tashmë po sjell pasoja shkatërruese ekonomike. Për Iranin: të ndalojë sulmet ndaj fqinjëve të tij”, u shpreh Guterres.

Ai theksoi se kriza në Lindjen e Mesme ka hyrë në muajin e dytë dhe pasojat po thellohen çdo ditë, vuajtjet njerëzore po rriten, shkalla e shkatërrimit po shtohet, sulmet pa dallim po shtohen, sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile po bëhen më të shpeshta dhe rreziqet për botën po rriten.

“Ne jemi në prag të një lufte më të gjerë që do të përfshinte të gjithë Lindjen e Mesme, me ndikime dramatike në mbarë globin,” paralajmëroi Guterres.

Ai foli edhe për ndikimin e konfliktit në lirinë e lundrimit: “Kur Ngushtica e Hormuzit mbyllet, të varfrit dhe më të pambrojturit janë ata që preken më shumë.”

Sekretari i Përgjithshëm theksoi se përpjekjet diplomatike meritojnë hapësirë dhe mbështetje për të pasur sukses, të mbështetura në të drejtën ndërkombëtare, duke përfshirë Kartën e OKB-së.

Guterres njoftoi se ka dërguar në rajon të dërguarin e tij personal, Jean Arnault, për të mbështetur këto përpjekje.

“Duhet të gjejmë një rrugë paqësore për të dalë nga kjo situatë,” përfundoi ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›