E Diel, 1 Nëntor 2026

Skemat mbështetëse për vitin 2026, më shumë përfitime për fermerët e qarkut të Gjirokastrës

Pas publikimit të vendimit të Këshillit të Ministrave për skemat e mbështetjes financiare në bujqësi për vitin 2026, fermerët e qarkut të Gjirokastrës pritet të përfitojnë ndjeshëm. Sipas specialistit të bujqësisë, Balil Bineri, këto skema sjellin lehtësime dhe rritje të mbështetjes, veçanërisht në sektorët e blegtorisë, bletarisë dhe kultivimit të tokës. Qëllimi kryesor është përfshirja e një numri më të madh përfituesish dhe rritja e prodhimit bujqësor e blegtoral.

“Ka përmirësim të ndjeshme tek fermat e blegtorisë, tufa bazë e matrikulluar. Po kështu edhe mbarështimi i bletarisë është ulur kufiri nga 50 zgjoje mund të kesh 25 zgjoje dhe mund të aplikosh”, tha Balil Bineri, Specialist i Bujqësisë.

Një risi e këtij viti është mbështetja për fermerët e rinj që investojnë në bujqësi. Ata do të përfitojnë deri në 70% të vlerës së investimit, bazuar në faturat tatimore, me një kufi maksimal prej 1 milion lekësh të reja.

“Masa e përfitimit do të jetë 70% e vlerës totale të faturave tatimore me një vlerë të përgjithshme jo më shumë se 1 milion lek”, tha ai.

Me këto ndryshime, pritet një rritje e përfshirjes së fermerëve në skemat mbështetëse, si dhe një zhvillim më i qëndrueshëm i bujqësisë dhe blegtorisë në qarkun e Gjirokastrës.

Gazetare: B. Pëllumbi

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›