E Hënë, 2 Nëntor 2026

HAGË – “Europol” shkatërron rrjetin pro-rus të krimit kibernetik

HAGË, 16 korrik /ATSH/- Një operacion i koordinuar ndërkombëtar ka goditur infrastrukturën e një rrjeti pro-rus të krimit kibernetik – të lidhur me një sërë sulmesh kibernetike që synojnë Ukrainën dhe aleatët e saj, njoftoi sot agjencia policore e Bashkimit Evropian, “Europol”, sipas AP.

Me emrin e koduar “Eastwood”, operacioni synonte të ashtuquajturin grup “NoName057(16)”, i cili u identifikua muajin e kaluar nga autoritetet holandeze si pas një sërë sulmesh kibernetike ndaj disa komunave dhe organizatave të lidhura me një samit të NATO-s në Holandë.

“Europol” tha se rrjeti i krimit kibernetik ishte gjithashtu i përfshirë në sulme të kryera në Suedi, Gjermani dhe Zvicër.

Agjencia policore tha se operacioni ndërkombëtar mundësoi ndërprerjen e një infrastrukture sulmi që përbëhet nga mbi 100 sisteme kompjuterike në të gjithë botën, ndërsa një pjesë e madhe e infrastrukturës qendrore të server-it të grupit u la offline.

Autoritetet e zbatimit të ligjit dhe gjyqësore nga Franca, Finlanda, Gjermania, Italia, Lituania, Polonia, Spanja, Suedia, Zvicra, Republika Çeke, Holanda dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës – ndërmorën veprime të njëkohshme kundër shkelësve dhe infrastrukturës që i përkiste rrjetit pro-rus të krimit kibernetik.

“Autoritetet gjyqësore në Gjermani lëshuan gjashtë urdhërarreste për të dyshuar në Rusi, dy prej të cilëve të akuzuar si udhëheqësit kryesorë të grupit”, tha “Europol”.

Pesë prej tyre u identifikuan në faqen e internetit të Europol-it “Më të Kërkuarit në Evropë”.

Një i dyshuar u vu nën arrest paraprak në Francë dhe një tjetër u arrestua në Spanjë. Në SHBA, Byroja Federale e Hetimit ishte e përfshirë në operacion.

Zyra e prokurorit të Parisit tha se një person është në paraburgim në Francë se janë sekuestruar pajisje komunikimi. Ende nuk janë ngritur akuza.

Zyra e prokurorit të përgjithshëm në Zvicër, e cila nuk është një vend anëtar i BE-së, tha sot në një deklaratë se hetimet e përbashkëta midis Europol-it dhe policisë federale zvicerane ndihmuan në identifikimin e tre anëtarëve kryesorë të grupit, i cili dyshohet se ka synuar më shumë se 200 faqe interneti zvicerane.

“Europol” tha se anëtarët e grupit të krimit kibernetik fillimisht kishin në shënjestër institucionet ukrainase, por e kishin zhvendosur fokusin e tyre në sulmin ndaj vendeve që mbështesin Ukrainën në mbrojtjen e vazhdueshme kundër luftës së agresionit rus, shumë prej të cilave janë anëtare të NATO-s. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›