E Diel, 1 Nëntor 2026

HUNGARI – Parlamenti heq imunitetin e kryeministrit Magyar dhe dy ish-zyrtarëve të Orbanit

BUDAPEST, 28 shtator /ATSH-AFP/ – Parlamenti hungarez votoi sot heqjen e imunitetit parlamentar të kryeministrit Peter Magyar dhe të dy ish-ministrave të qeverive të Viktor Orban, në kuadër të hetimeve të veçanta penale, pasi Prokuroria e Përgjithshme kishte kërkuar javën e kaluar heqjen e imunitetit të tre deputetëve, në mënyrë që të mund të vijonte hetimet.

Për dy ish-ministrat bëhet fjalë për procedurat e para të ngritura ndaj zyrtarëve të lartë të periudhës së Orbanit për dyshime për korrupsion.

Peter Magyar po hetohet për një incident të vitit 2024.

Ai akuzohet se i ka marrë telefonin një personi që po e filmonte në një klub nate dhe më pas e ka hedhur telefonin në lumin Danub.

Magyar, lider konservator pro-evropian, kishte kërkuar vetë heqjen e imunitetit të tij, duke e cilësuar prej kohësh çështjen si një “farsë”.

Javën e kaluar ai akuzoi prokurorinë se po përpiqej ta lidhte çështjen e tij me hetimet ndaj ish-ministrave të Orbanit.

Heqja e imunitetit të Peter Magyar, ish-ministrit të Kulturës dhe Inovacionit Balazs Hanko dhe ish-ministrit të Zhvillimit Miklos Sesztak u miratua me 139 vota nga 199 deputetë.

Partia Fidesz e Viktor Orbánit dhe aleati i saj KDNP bojkotuan votimin.

Hetimi ndaj deputetit të Fidesz-it, Balazs Hanko, lidhet me dyshimet për keqpërdorimin e 47 milionë eurove nga fondet publike.

Sipas akuzave që po hetohen, një pjesë e këtyre fondeve mund të jetë përdorur për financimin e fushatës së Fidesz-it për zgjedhjet parlamentare të vitit 2026.

Ndërsa ish-ministri Miklos Sesztak, deputet i KDNP-së, dyshohet se ka marrë disa milionë euro ryshfet gjatë blerjes së autobusëve të përdorur me çmime të fryra, në periudhën 2014–2018.

Heqja e imunitetit parlamentar nuk përbën në vetvete shpallje fajësie; ajo i hap rrugë autoriteteve që të vazhdojnë procedurat dhe hetimet penale ndaj deputetëve./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›