E Hënë, 2 Nëntor 2026

Halilaj: Identiteti digjital, në sektorin publik dhe atë privat

TIRANË, 20 tetor /ATSH/ Administratorja e kompanisë shtetërore të prodhimit të dokumenteve biometrike “IdentiTek”, Freskida Halilaj u shpreh sot se projekti i identitetit digjital është i ndërtuar mbi vizionin për transformimin digjital të Shqipërisë.

Gjatë aktivitetit për prezantimin e projektit “Identiteti Digjital” ku të pranishëm ishin edhe Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, Halilaj tha se që nga dita e parë që është ideuar ky projekt janë ndërmarrë hapa konkretë, nga ndërtimi i një kuadri ligjor, deri te eksperienca ndërkombëtare dhe kalimi i testimeve dhe pilotimeve.

“Ky projekt është shumë i rëndësishëm për ne dhe unë jam shumë e emocionuar që e prezantojmë sot pasi është i ndërtuar mbi vizionin e qartë të Kryeministrit Edi Rama për transformimin digjital të Shqipërisë”, tha Halilaj.

Gjatë demonstrimit të demos funksionale, Halilaj u shpreh se për finalizimin e një identiteti digjital duhet një telefon smart dhe një kartë identiteti fizike.

“Bëhet verifikimi biometrik për çështje sigurie sepse ne duhet të verifikojmë që personi që mban telefonin është i njëjti me atë që mban kartën e ID-së. Një nga elementët më të rëndësishëm të këtij projekti është se identiteti digjital nuk do të kufizohet vetëm në sektorin publik, por edhe në atë privat”, theksoi Halilaj.

Administratorja e IdentiTek tha se një “një 18 vjeçar mund të hapë një llogari bankare në pak sekonda nga komoditeti i shtëpisë, një biznes mund të marrë shërbime publike vetëm me një klikim, ndërsa garantohet mbrojtje shtesë nga rreziqet e botës online për fëmijët”.

“Forca e teknologjisë dhe ndryshimi rezultativ që identiteti digjital sjell do të jetë i prekshëm në jetën tonë të përditshme”, pohoi Halilaj.

/e.i/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›