E Hënë, 2 Nëntor 2026

Projektbuxheti 2026 pritet të shkojë për miratim në qeveri në fund të tetorit

TIRANË, 20 tetor/ATSH/ Ministria e Financave parashikon të paraqesë për miratim në Këshillin e Ministrave projektbuxhetin për vitin 2026 në fund të këtij muaji.

Pas miratimit nga qeveria, dokumenti financiar do të prezantohet në Konferencën e Kryetarëve në Kuvend, ku do të përcaktohet kalendari i shqyrtimit në komisionet parlamentare.

Diskutimet për projektbuxhetin do të zhvillohen në komisionet përkatëse gjatë muajit nëntor, ndërsa miratimi nen për nen në seancë të posaçme plenare pritet të bëhet në javën e parë të dhjetorit.

Prioritetet kryesore të projektbuxhetit për vitin 2026 fokusohen në rritjen e investimeve në infrastrukturë, mbështetjen e sektorëve strategjikë dhe forcimin e politikave sociale.

Në kuadër të këtij projektbuxheti, është parashikuar gjithashtu rritja e pagës minimale në nivelin e 500 eurove, një masë e rëndësishme që synon përmirësimin e standardit të jetesës dhe fuqizimin e fuqisë punëtore në vend.

Projektbuxheti synon të mbështesë rritjen ekonomike, stabilitetin fiskal dhe përmirësimin e mirëqenies sociale. Rritja ekonomike, sipas Kuadrit Makroekonomik dhe Fiskal, pritet të jetë afërsisht 4% për vitet 2026-2028.

Përkatësisht, për vitet 2026, 2027 dhe 2028, pritet të jetë 4%, 3,9% dhe 4,1%.
Qeveria synon të ulë deficitin fiskal në 1,9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në vitin 2026 dhe të mbajë një bilanc pozitiv prej 0,7%. Investimet publike, referuar Kuadrit Makroekonomik dhe Fiskal, do të jenë rreth 5,9% e PBB-së gjatë periudhës 2026-2028, ndërsa të ardhurat buxhetore pritet të rriten me 5,3% në vit. Më specifikisht 5,5% për vitin 2026, 6,2% për vitin 2027 dhe 4.2% për vitin 2028.

Referuar Kuadrit, burimet totale të qeverisë për t’u shpenzuar gjatë viteve 2026-2028 pritet të jenë mesatarisht në rreth 885.8 miliardë lekë në çdo vit ose mesatarisht rreth 30.6% e PBB.

Projektbuxheti i vitit 2026 do të shoqërohet edhe me Paketën Fiskale. Parashikohet rimbursim i TVSH-së për fermerët, i cili do të funksionojë si transfertë direkte në mbështetje të tyre. Prej vitit 2022, skema e TVSH-së së kreditueshme u hoq plotësisht, duke vendosur 0% TVSH të zbritshme për blerjet nga fermerët. Për zbatimin e kësaj mase do të alokohen rreth 1,5 miliardë lekë në vit.

Një nismë e rëndësishme në këtë projektbuxhet është “Paqja Fiskale 2026–2029”, që do të ndihmojë bizneset duke falur borxhet tatimore dhe kamatëvonesat për borxhet më të vjetra se 10 vjet. Gjithashtu, do të mund të rishikohen pasqyrat financiare të 5 viteve të fundit.

Metodologjia e re për llogaritjen e taksave vendore mbi pasuritë e paluajtshme, çmimet e reja dhe rivlerësimi do të fillojnë më 1 janar 2026. Por, taksa e re për pasuritë e paluajtshme, që ishte planifikuar të fillonte në 2026, do të shtyhet për në vitin 2028. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›