E Diel, 1 Nëntor 2026

Hamas refuzon propozimin e SHBA: Nuk përmbushen kërkesat e palestinezëve, plani nuk e ndal luftën

Militantët palestinezë të Hamas-it deklaruan të enjten se plani i paqes i miratuar nga Izraeli në Shtetet e Bashkuara nuk i përmbush kërkesat e tyre.

“Përgjigjja e Izraelit nënkuptonte  vazhdimin e vrasjeve dhe dhe nuk përmbush asnjë nga kërkesat e popullit tonë, ndër të cilat ndalimin e luftës dhe urisë. Megjithatë, udhëheqja e lëvizjes po studion përgjigjen ndaj propozimit me përgjegjësi të plotë kombëtare”, tha Bassem Naim, anëtari i Byrosë politike të Hamasit.

Një plan amerikan për Gazën, i parë nga Reuters të premten, propozon një armëpushim 60-ditor dhe lirimin e 28 pengjeve izraelite në javën e parë, në këmbim të lirimit të 1,236 të burgosurve palestinezë dhe dorëzimi të trupave të 180 palestinezëve të vdekur.

Dokumenti, i cili thotë se plani është i garantuar nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe ndërmjetësit  e Egjiptit dhe Katarit, përfshin dërgimin e ndihmës humanitare në Gaza sapo Hamasi të nënshkruajë marrëveshjen e armëpushimit.

Plani amerikan parashikon  gjithashtu që Hamasi të lirojë 30 pengjet e fundit nga 58 te mbetur sapo të hyjë në fuqi një armëpushim i përhershëm. Ai tregon se Tel Avivi gjithashtu do të ndërpresë të gjitha operacionet ushtarake në Gaza sapo të nis zbatimi i planit.

Bindja e të dyja palëve për një marrëveshje ka qenë e vështirë, pasi si Izraeli ashtu edhe Hamasi kanë dallime në disa çështje kyçe. Hamasi këmbëngul në një armëpushim të qëndrueshëm, një tërheqje të plotë të ushtrisë izraelite nga Gaza dhe një fluks të ndihmës humanitare.

Megjithatë, Izraeli i ka hedhur poshtë vazhdimisht këto kërkesa, duke thënë se do të pranonte vetëm pauza të përkohshme në luftime për të lehtësuar lirimin e pengjeve dhe se qëllimi i tij përfundimtar është shkatërrimi total i Hamasit.

Ndërkohë së fundmi, presidenti francez Emmanuel Macron ka  bërë thirrje se  nëse Izraeli nuk ofron zgjidhje të përshtatshme për situatën humanitare në Rripin e Gazës në orët dhe ditët në vijim, duhet të merret një qëndrim i ashpër evropian kundër këtij vendi.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›