Hapen aplikimet për profesionistët e shëndetësisë

Kryeministri Edi Rama ndau të shtunën lajmin e hapjes së aplikimeve për profesionistët e shëndetësisë në portalin “Infermierë për Shqipërinë”.
Zoti Rama shkruan se aplikimet janë hapur për infermierë, mami, teknikë imazherie, laborator, fizioterapi dhe logopedi. Afati i aplikimit është nga data 22 gusht, deri në 5 shtator 2024.
Platforma “Infermierë për Shqipërinë” ofron mundësi reale punësimi për të gjithë infermierët që kanë përfunduar studimet e larta apo janë kualifikuar më tej në këtë fushë për të kontribuar në shëndetin e komunitetit.
Kjo platformë garanton një proces rekrutimi të udhëhequr nga parimet e transparencës, meritës, profesionalizmit dhe barazisë në funksion të ofrimit të një shërbimi cilësor infermieror në të tre nivelet e kujdesit shëndetësor.
Procesi i testimit të kandidatëve në platformën “Infermierë për Shqipërinë” është transparent në të gjitha fazat e tij, që nga regjistrimi, testimi, procesi i ankimimit, deri në shpalljen e listës përfundimtare të fituesve dhe përzgjedhjes së vendeve të reja të punës me bazë merite, në bazë të pikëve të marra nga secili kandidat nga të gjitha fazat e konkurrimit.
/ rtsh.al /