E Diel, 1 Nëntor 2026

Hapen qendrat shëndetësore verore, 24 orë për pushuesit dhe banorët gjatë sezonit turistik

Këtë të hënë zyrtarisht janë hapur qendrat shëndetësore sezonale në Velipojë, Rrjoll dhe Theth, me qëllim ofrimin e shërbimit të shpejtë dhe cilësor për pushuesit dhe komunitetin.

Shefja e Shërbimit Parësor në Shkodër, Megi Bilali, theksoi rëndësinë e këtyre strukturave për përballimin e fluksit të shtuar gjatë verës dhe garantimin e shërbimit mjekësor në zonat turistike. 

“Funksionojnë 24 në shtatë, janë të pajisura me medikamente të nevojshme. Stafi është i angazhuar përgjatë gjithë sezonit për të dhënë një shërbim të shpejtë dhe të sigurt për gjithë pushuesit, por edhe banorët e këtyre zonave.” – u shpreh për RTSH Megi Bilali, Shefe e Shërbimit Parësor. 

Ndërkohë, mjekja Marjana Gjoni ndau eksperiencën e saj të vitit të kaluar në jug të vendit, duke vlerësuar sfidat dhe rëndësinë e gatishmërisë së stafit në sezonin turistik. 

“Si vjet është viti im i parë që jap shërbimin tim mjekësor në Velipojë. E kam kënaqësinë të punoj këtu. Një vit më përpara, në fakt, kam pasur një eksperiencë në plazhet e jugut të Shqipërisë, në qendrën verore të Drimadhes. Sivjet zgjodha veriun. Mendoj që është më shumë ngarkesa, fluksi dhe eksperienca ime profesionale do të jetë më e vlefshme.” 

Funksionimi i këtyre qendrave 24 orë me staf infermieror dhe mjekësor pritet të lehtësojë ndjeshëm aksesin në shërbimin shëndetësor gjatë verës, duke rritur sigurinë dhe mirëqenien e pushuesve në tre nga destinacionet më të frekuentuara turistike të veriut. 

Gazetare: M. Gjoni 

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›