Avokati i Popullit rikthen pensionin e mohuar për një moshuar

TIRANË, 1 qershor /ATSH/ Avokati i Popullit ka zgjidhur çështjen e mosnjohjes së viteve të punës për llogaritjen e pensionit të një zonje në kryeqytet.
Në njoftim, thuhet se Sebie S., pavarësisht se shërbeu me dekada në ish-ndërmarrjet shtetërore, PTT dhe në NEP Fierzë, u gjend përballë burokracive që i mohonin mundin.
Ajo i ishte drejtuar gjykatës dhe i kishte fituar vitet e punës, por edhe pse dokumentet ishin dorëzuar në Drejtorinë e Sigurimeve Shoqërore Tiranë, pensioni i saj nuk po lidhej.
Në tetor të vitit 2025, zonja Sebie trokiti në derën e Avokatit të Popullit.
“Ne nisëm menjëherë ndërmjetësimin e drejtpërdrejtë me DRSSH Tiranë. Duke u bazuar në ligjin e ri që mbron punën e kryer në ish-ndërmarrjet shtetërore, ne kërkuam që e drejta e saj të njihej automatikisht. Institucioni reflektoi, pa qenë nevoja për procedura të mëtejshme”, thuhet në njoftim.
Sipas Avokatit të Popullit, e moshuara mori lajmin e shumëpritur se pensioni u lidh. Ajo tashmë mund të tërheqë të gjithë shumën e prapambetur që i takonte që nga marsi i vitit 2025.
“Mesazhi ynë shkon për çdo pensionist: Puna juaj në ish-kooperativat apo ndërmarrjet shtetërore është e mbrojtur me ligj. Avokati i Popullit është këtu për t’u siguruar që asnjë ditë e jetës suaj aktive të mos mbetet e papaguar”, përfundon njoftimi.
/e.i/j.p/r.e/