Hapet për qarkullim rruga deri në Qafë Thore, vijon puna drejt Thethit

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Pas mbylljes një natë më parë të segmentit rrugor për shkak të rrezikut nga orteqet e dëborës, kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, bëri të ditur se që në orët e para të mëngjesit kanë nisur punimet intensive në terren nga firma kontraktore e mirëmbajtjes në aksin rrugor Bogë-Qafë Thore-Theth.
Sipas tij, aktualisht rruga është e hapur për qarkullim deri në Qafë Thore, ndërsa puna vijon për pastrimin dhe sigurimin e segmentit Qafë Thore-Theth, i cili u bllokua si pasojë e rënies së orteqeve.
“Mjetet borëpastruese dhe ekipet teknike janë angazhuar me prioritet maksimal për të garantuar hapjen e plotë të aksit, sapo të krijohen kushtet e nevojshme të sigurisë për qarkullimin e mjeteve”, u shpreh Beci.
Kreu i bashkisë u bëri thirrje drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes dhe të ndjekin udhëzimet e shërbimeve në terren. Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe priten përditësime të mëtejshme në varësi të kushteve atmosferike. /j.p/