Hapet ura e re mbi lumin Ibër që lidh Mitrovicën, synon të afrojë veriun dhe jugun e ndarë të qytetit

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi përmes një postimi në rrjetet sociale për hapjen e një prej dy urave që Qeveria në detyrë nisi t’i ndërtojë muaj më parë mbi lumin Ibër, i cili e ndan Mitrovicën në jugun e banuar me shqiptarë dhe në veriun e banuar me serbë.
“Të dashur qytetarë të Mitrovicës dhe gjithë Kosovës, urime ura e re”, shkroi Sveçla në Facebook, ku e postoi edhe një fotografi të automjeteve duke kaluar mbi urën e re.
Autoritetet në Kosovë filluan ndërtimin e dy urave në të dyja krahët e urës kryesore mbi lumin Ibër me gjithë kundërshtimet nga serbët lokalë dhe reagimet e bashkësisë ndërkombëtare.
Por Qeveria e Kosovës tha vazhdimisht se ndërtimi i këtyre urave – njëra për këmbësorë dhe tjetra për automjete – ka për qëllim t’i lidhë Mitrovicën e Veriut me Mitrovicën e Jugut e ta bëjë jetën e banorëve më të lehtë.
Për ndërtimin e urave janë ndarë rreth tre milionë euro dhe punimet pritet të përfundojnë në vjeshtë. Ura e hapur është 51 metra e gjatë dhe 10 metra e gjerë, dhe ka trotuare nga 1,5 metra në çdo anë.
Gazetar: Artur Mata
/rtsh.al/