Harden është një “shaq”/ Ylli i basketbollit amerikan arrin në 28 614 pikë në karrierë

Nuk është në majë, dhe vështirë se do t’ia dalë. Xhejms Harden është 36 vjeç dhe ëndrra për të qenë shënuesi më I mirë në historinë e NBA-së edhe vetë e di se nuk do të realizohet, ndonëse ai vazhdon ngjitjen.
Veterani i basketbollit amerikan tani është në vendin e 9-të në këtë klasifikim, që e udhëheq “Mbreti” Lebron Xhejms, pasi shënoi 32 pikë në ndeshjen e fundit dhe kaloi një legjendë të madhe.
Harden la pas Shakill O’Nillin, njërin nga basketbollistët më dominues që ka parë bota.
I mbiquajturi “Mjekra” ka tani 28 614 pikë në NBA, ndërsa O’Nill është 18 pikë prapa.
Siç e ka për natyrë, 36-vjeçari mori shumë përsipër dhe dha kontribut në fitoren që Los Anxhelos Klipers arritën ndaj Sharlotës me shifrat 117-109, duke vazhduar ngjitjen këtë sezon.
Harden shëoi 32 pikë, kapi 4 topa në tabela, shërbeu 10 asistë dhe pati 4 vjedhje topi, por edhe bëri gabime të shumta në gjuajtje.
Vendimtar për fitoren ishte ylli tjetër, Kauaj Leonard me 35 pikë dhe shumë më tepër saktësi.
Sa I takon renditjes së shënuesve, “Mjekra” mund të kalojë edhe Uilt Çembërlenin që është rreth 3 000 pikë përpara, por për këtë mund t’i duhen edhe dy sezone të tjera, nëse do të vazhdojë me basketbollin.