E Martë, 3 Nëntor 2026

Harris kryeson ndaj Trump në sondazhe

  
Zëvendëspresidentja Kamala Harris fitoi një epërsi prej 2 përqindësh ndaj republikanit Donald Trump pasi Presidenti Joe Biden përfundoi fushatën e tij të rizgjedhjes dhe ia kaloi stafetën 59-vjeçares demokrate, zbuloi një sondazh i agjencisë së lajmeve Reuters dhe kompanisë Ipsos. 

Harris ka mbështetje prej 44 për qind ndërsa Trump 42 për qind në mesin e votuesve të regjistruar në një sondazh kombëtar të kryer të hënën dhe të martën, i cili pasoi Konventën Kombëtare Republikane ku Trumpi pranoi zyrtarisht nominimin e partisë dhe Joe Biden njoftoi largimin nga gara. 
Harris dhe Trump kishin një mbështetje të barabartë prej 44 për qind në sondazhin e 15-16 korrikut. Rreth 56 për qind e votuesve të regjistruar u pajtuan me deklaratën se 59-vjeçarja Harris është mendërisht e aftë për të përballuar sfidat, krahasuar me 49 për qind që thanë të njëjtën gjë për 78-vjeçarin Trump, ndërsa vetëm 22 për qind e të anketuarve e vlerësuan Bidenin në këtë mënyrë. Rreth 80 për qind e votuesve demokratë thanë se e shihnin Bidenin si politikanë të fortë, por për Harrisin kjo mbështetje shkonte në shifrën 91 %.  

Tre të katërtat e votuesve demokratë thanë se ishin dakord me deklaratën se partia dhe votuesit tani duhet të mbështesin Kamala  Harrisin, ndërsa vetëm një e katërta thanë se më shumë kandidatë duhet të konkurrojnë për të marrë emërimin e partisë. Shumë të anketuar thanë se nuk dinin asgjë për demokratët që shihen si zgjedhje e mundshme e kandidatit për zv.president të Harris. 

Një anketim në fushatën e Trump hodhi poshtë çdo sondazh që tregon rritje të mbështetjes për Harris, duke argumentuar se demokratja kishte gjasa të shihte një rritje të përkohshme të popullaritetit për shkak të mbulimit të gjerë mediatik si kandidaturë e re. 

Sondazhi, i cili u krye në internet, anketoi 1241 të rritur amerikanë në mbarë vendin, duke përfshirë 1018 votues të regjistruar. 

Zgjedhjet presidenciale amerikane mbahen më 5 nëntor dhe nëse Kamala Harris bëhet zyrtarisht kandidate e demokratëve, që sipas shtabit të saj elektoral tashmë e ka fituar, ajo do të përballet me republikanin Donald Trump.   

Gazetare Vjollca Zharri 

/ rtsh.al /

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›