E Diel, 1 Nëntor 2026

Hasanaj për ATSH: Mbi 7 mijë shtetas drejt Greqisë nga Kakavija në 24 orët e fundit

TIRANË, 4 janar/ATSH-Maela Marini/ Pas përfundimit të festave të fundvitit, pika kufitare e Kakavijës po përballet me fluks të shtuar lëvizjesh, kryesisht në dalje, ndërsa emigrantët po rikthehen në Greqi.

Në një prononcim për ATSH-në, prefektja e qarkut Gjirokastër Albana Hasanaj bëri të ditur se gjatë 24 orëve të fundit në pikën kufitare të Kakavijës kanë hyrë 3555 shtetas.

Fluksi më i madh i lëvizjes, sipas Prefektes së Gjirokastrës regjistrohet në dalje të territorit ku në këtë pikë kufitare janë regjistruar 7350 shtetas.

Hasanaj theksoi se nga pala shqiptare po punohet me 2 sportele në hyrje dhe 4 sportele në dalje.

“Nga pala shqiptare po operohet me kapacitet të plotë dhe me masa të shtuara. Edhe aktualisht fluksi i lëvizjes në dalje te territorit është i lartë”, u shpreh prefektja Hasanaj.

Sipas saj, autoritetet shqiptare janë në kontakt dhe koordinim të vazhdueshëm me autoritetet homologe greke per shtimin e sporteleve.

“Aktualisht nga pala greke po punohet me 3 sportele në hyrje dhe 2 sportele në dalje. Në këto momente fluksi vjen me të njëjtin intensitet. Jemi në gatishmëri per marrjen e masave shtesë”, u shpreh prefektja Hasanaj për ATSH-në.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›