E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Haxhinasto: Buxheti 2027 nuk adreson shpopullimin dhe koston e jetesës, duhen financime konkrete për diplomacinë - ATSH -

TIRANË, 2 nëntor/ATSH/ Deputeti i Partisë së Lirisë, Edmond Haxhinasto, gjatë diskutimit sot në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme për shqyrtimin në parim të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2027”, vlerësoi se projektbuxheti nuk adreson në mënyrë të mjaftueshme disa nga problemet kryesore të vendit, si shpopullimi dhe kostoja e jetesës.

Gjatë punimeve në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme nukishin të pranishëm deputetët e PD.

Haxhinasto tha se, pavarësisht uljes së çmimeve për produktet e shportës, nuk ka garanci që kjo do të reflektohet ndjeshëm te qytetarët.

Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për financimin e arsimit, shëndetësisë, bujqësisë dhe prodhimit.

“Ky projektbuxhet nuk arrin të trajtojë problemet akute që lidhen me shpopullimin dhe koston e jetesës. Pavarësisht uljes së çmimeve për produktet e shportës, nuk ka garanci se kjo do të reflektohet në mënyrë të ndjeshme te qytetarët”, u shpreh ai.

Sipas deputetit, rritja e vlerës së përgjithshme të buxhetit duhet të shoqërohet me financime konkrete për sektorët prioritarë dhe me mbështetje të matshme për objektivat e shpallura.

“Do të dëshiroja që çështjet e përmendura në paraqitjen e këtij projektbuxheti të mos mbeten thjesht dëshira, por të marrin mbështetje konkrete buxhetore”, theksoi Haxhinasto.

Duke folur për rolin e Shqipërisë në rajon, marrëdhëniet me Kosovën dhe me faktorin shqiptar, ai kërkoi më shumë qartësi mbi mbështetjen që do t’u jepet këtyre prioriteteve përmes buxhetit.

Haxhinasto u ndal edhe te diplomacia ekonomike, duke kërkuar sqarime mbi mënyrën se si do të mbështetet promovimi i eksporteve dhe si do të funksionojë bordi për investimet dhe eksportet.

“Një çështje tjetër që do të dëshiroja të shihja të trajtuar më konkretisht dhe në mënyrë më efikase në buxhet është diplomacia ekonomike. Në këtë këndvështrim, çfarë do të bëjë diplomacia ekonomike për të forcuar promovimin e eksporteve?”, pyeti deputeti.

Një tjetër çështje e ngritur prej tij ishte financimi i infrastrukturës së Shërbimit të Jashtëm dhe trajtimi i pagave të diplomatëve.

Haxhinasto kërkoi një ekuilibër më të mirë mes shpenzimeve për qiratë e objekteve dhe investimeve kapitale, si dhe një objektiv të qartë për vijimin e investimeve në infrastrukturën fizike të përfaqësive diplomatike.

Haxhinasto  u ndal te kapacitetet njerëzore të Shërbimit të Jashtëm, duke nënvizuar se procesi i integrimit evropian kërkon diplomatë me përgatitje dhe përvojë të përshtatshme.

“Integrimi dhe afrimi me Bashkimin Evropian kërkojnë kapacitete të reja diplomatike”, u shpreh Haxhinasto, duke ngritur shqetësimin për hyrjen në nivele më të larta të Shërbimit të Jashtëm të personelit që mund të mos ketë përvojën e nevojshme diplomatike.

/gj.m/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›