Tabaku: Rritja ekonomike e përqendruar te ndërtimi, shqetësim për bujqësinë dhe sektorin prodhues - ATSH -
TIRANË, 2 nëntor /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi sot se baza e rritjes ekonomike në vend po përqendrohet te ndërtimi.
Gjatë diskutimeve për projektbuxhetin 2027 në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, ku zëvendësguvernatorja e dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj prezantoi opinionin e BSH rreth projektbuxhetit, Tabaku kërkoi një vlerësim për rënien e peshës së bujqësisë dhe sektorit prodhues në ekonomi.
“Vitet e fundit rritja ekonomike ka ardhur vetëm nga dy sektorë, ndërsa bujqësia ka ndryshuar në përqindje dhe në vlerë si pjesë e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe nuk është zëvendësuar me një sektor tjetër që të ketë të njëjtin ndikim te një grup kaq i gjerë qytetarësh”, u shpreh ajo.
Tabaku ngriti shqetësim edhe për financimin e ndërtimit dhe rrezikun e pastrimit të parave përmes këtij sektori, duke kërkuar një qëndrim nga Banka e Shqipërisë.
“Ne duhet të kishim një përgjigje që të qetësonte shqetësimet që ka sektori bankar, por edhe qytetarët”, tha Tabaku.
Tabaku u ndal edhe te ndryshimet e propozuara në paketën fiskale, duke vënë në dukje se parashikohen 50 miliardë lekë të ardhura shtesë dhe 46 miliardë lekë lehtësime.
Tabaku kërkoi sqarime për efektet e rritjes së normës së përgjithshme të TVSH-së në 21% dhe uljes së normës 6% për 54 produkte.
“Nuk është se kemi ndonjë lehtësim nga pikëpamja e faturës për qytetarët”, u shpreh deputetja e PD-së.
/e.i/a.f/r.e/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
