E Diel, 1 Nëntor 2026

Hemodializa kalon në administrim shtetëror, Spahiu: Shërbimi vijon pa ndërprerje për pacientët - ATSH -

TIRANË, 1 nëntor /ATSH/ Shërbimi i hemodializës ka kaluar nga sot në administrimin e Operatorit të Shërbimeve të Integruara Shëndetësore (OSHISH), pas përfundimit të kontratës koncesionare.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu bëri të ditur se ekipet janë angazhuar në përgatitjet për funksionimin e plotë të shërbimit, duke garantuar vijimësinë e trajtimit dhe kujdesin ndaj pacientëve.

Sipas saj, funksionimi i plotë i shërbimit është parashikuar nga 2 nëntori, ndërsa prioritet mbetet garantimi i sigurisë dhe cilësisë së trajtimit, pa ndërprerje për pacientët.

Marrja në administrim nga strukturat shtetërore synon gjithashtu integrimin më të mirë të hemodializës me shërbimet e tjera spitalore dhe përmirësimin e aksesit të pacientëve në trajtim pranë vendbanimit.

Spahiu theksoi se ndryshimi i administrimit nuk duhet të cenojë marrjen e shërbimit nga pacientët, ndërsa furnizimet janë sistemuar në qendra dhe ekipet janë angazhuar për garantimin e funksionimit të plotë.

“Shërbimi i hemodializës vijon pa ndërprerje. Prioriteti ynë është siguria dhe kujdesi për çdo pacient”, u shpreh ministrja.

/e.i/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›