E Martë, 3 Nëntor 2026

Hetim për akuzat e të miturit për dhunë, Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Reagimi i Policisë reflekton standardet e llogaridhënies

TIRANË, 24 prill/ATSH/ Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka falënderuar sot Policinë e Shtetit, Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës, për reagimin ndaj ngjarjes ku u përfshi një i mitur dhe disa efektivë të policisë në Komisariatin 1.

Në njoftimin e KSHH-së, thuhet se ky “reagim është shembull pozitiv dhe reflekton standardet më të mira të llogaridhënies dhe transparencës së një institucioni të rëndësishëm sikurse është Policia e Shtetit me të cilin KSHK bashkëpunon në mënyrë të vazhdueshme në funksion të një qëllimi të përbashkët, ruajtja e rendit dhe sigurisë publike, në respektim të të drejtave dhe lirive të shtetasve”.

Më tej në njoftim thuhet se Komiteti Shqiptar i Helsinkit shpreson që hetimi nga organi i prokurorisë lidhur me ngjarjen e të miturit të realizohet në mënyrë sa më objektive e të gjithanshme dhe t’i shërbejë parandalimit të rasteve të ngjashme në të ardhmen.

Policia e Tiranës reagoi sot pas njoftimit të Komitetit Shqiptar të Helsinkit se një i mitur i ndaluar është dhunuar gjatë ndalimit në ambientet e Komisariatit të Policisë nr.1 në Tiranë.

Policia sqaroi se në 12 prill shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë shoqëruar në ambientet e këtij komisariati, 14-vjeçarin që pretendon se është dhunuar, mbi dyshime se kishte hedhur lëndë piroteknike, në zonën e Liqenit Artificial, veprim i cili ishte njoftuar nga banorët e zonës, pasi ishte shkaktuar panik dhe shqetësim te ta.

Sipas policisë, në bazë të pretendimeve të prindërve të të miturit, se ai është dhunuar gjatë qëndrimit në ambientet e Komisariatit, me urdhër të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, po më 13 prill ka nisur ecuri disiplinore, për shkelje të rëndë, për: Inspektor D. M., oficer i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 1; Inspektor R. D., oficer i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 1; Nënkomisare Xh. B., specialiste e Seksionit të Patrullës së Përgjithshme dhe Rendit të Komisariatit të Policisë Nr. 1”. /j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›