E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetim për ngjarjet në Zvërnec, Avokati i Popullit verifikon veprimet e policisë

Avokati i Popullit ka reaguar pas incidenteve të raportuara në Zvërnec, ku qytetarë që po ushtronin të drejtën e tyre për tubim paqësor pretendohet se janë përballur me dhunë. Përmes një deklarate për shtyp, institucioni njoftoi se ka nisur një hetim kryesisht (ex officio) për të verifikuar rrethanat e ngjarjes, rolin e Policisë së Shtetit në menaxhimin e situatës dhe masat e marra për mbrojtjen e protestuesve.

Sipas Avokatit të Popullit, një ekip i posaçëm ndodhet në terren për të mbledhur dëshmi, shqyrtuar pamje filmike dhe analizuar dokumentacionin përkatës, ndërsa theksohet se çdo akt dhune ndaj qytetarëve është i papranueshëm dhe kërkon përgjigje të qartë nga institucionet përgjegjëse.

DEKLARATË PËR SHTYP MBI NGJARJEN NË ZVËRNEC

Qytetarët që ushtronin të drejtën kushtetuese për tubim paqësor u dhunuan sot në Zvërnec. E drejta për të protestuar paqësisht është e drejtë kushtetuese.

Avokati i Popullit ka nisur sot hetim kryesisht (ex officio) për të sqaruar rolin e policisë në mbrojtjen e qytetarëve që protestonin dhe në menaxhimin e konfliktit disa ditor në zonë.

Një ekip i Avokatit të Popullit, i kryesuar nga drejtuesja e zyrës rajonale të Vlorës, është në terren. Po intervistojmë qytetarët, po shqyrtojmë pamjet filmike dhe dokumentacionin për të verifikuar kohën dhe natyrën e ndërhyrjes së Policisë së Shtetit, marrjen e masave për të ndaluar dhunën dhe identifikuar autorët, si dhe mënyrën si u mbikëqyr policia private.

Përdorimi i dhunës ndaj qytetarëve është i paparanueshëm dhe kërkon përgjigje të qartë institucionale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›