E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta ne Zvernec/ Zhvillim i papritur! Policia kërkon ndjesë publike dhe pezullon drejtorin e Vlorës

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka kërkuar ndjesë publike për një raportim të pasaktë të bërë nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë lidhur me incidentin gjatë protestës në Zvërnec.

Sipas reagimit zyrtar, qytetari i përfshirë në ngjarje nuk është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit, siç ishte raportuar fillimisht nga Policia e Vlorës.

Për këtë arsye, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vendosur pezullimin e menjëhershëm nga detyra të drejtorit të Policisë së Vlorës, Elidon Çela.

“Besimi i publikut për Policinë e Shtetit është vlera më e rëndësishme dhe cenimi i tij nuk mund të justifikohet në asnjë rast”, thuhet në reagimin zyrtar.

Lidhur me pretendimet e ngritura nga protestuesit, Policia e Shtetit sqaron se territori i rrethuar rezulton të jetë pronë private me dokumentacion të rregullt hipotekor dhe me autorizimet ligjore përkatëse për rrethimin.

Institucioni i Policisë u ka bërë thirrje qytetarëve që çdo pretendim mbi pronësinë ose zhvillimin e pronës private ta adresojnë në rrugë gjyqësore.

Sipas Policisë së Shtetit, detyra ligjore e saj mbetet mbrojtja e integritetit të çdo prone private që disponon dokumentacion të rregullt ligjor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›